kor192021
Lodhja e lidhur me stresin. Rhodiola rosea, një trajtim i vlefshëm. Këshilla e farmacistit
Jo rrallëherë ndodh që dikush të futet në farmaci dhe të kërkojë medikament për lodhjen e shkaktuar nga stresi, veçanërisht në këtë periudhë të zgjatur të krizës pandemike Covid-19. Nëse stresi zgjat prej një kohe të shkurtër, ai është përbërës thelbësor i mbijetesës, pasi nxit një përgjigje fiziologjike të organizmit që e përgatit atë për të reaguar ndaj situatave të rrezikshme. Por, kur stresi është i zgjatur dhe intensiv, ai mund të ketë pasoja të dëmshme, në thelb përmes stimulimit të hipotalamusit që shkakton çlirimin e kortikotropinës nga hipofiza, një hormon i cili, nga ana tjetër, indukton çlirimin e kortizolit (përkufizuar si "hormon i stresit") nga gjëndrat mbiveshkore. Dhe, pikërisht në kushtet e stresit kronik, sekretimi i zgjatur i kortizolit shkakton atrofi muskulare.
Në farmaci, preparate me bazë bimore, me veprim adaptogjen
Ndër strategjitë më efektive që mund të propozohen në farmaci për ndjenjën e lodhjes janë trajtimet fitoterapeutike që nxisin rezistencë ndaj stresit, në veçanti, përgatitjet me bazë bimore, me aktivitet "adaptogjen". Gjatë këshillimit, është e dobishme për farmacistin të shpjegojë se, me termin adaptogjen, në fitoterapi, kuptojmë një rregullator metabolik me origjinë natyrore që shton aftësinë përshtatëse të një individi për të luftuar efektet negative të stresit me origjinë të ndryshme, ofron rezistencë më të mirë të përgjithshme dhe për këtë arsye, rrit pragun e rezistencës ndaj lodhjes.
Vetëm një grup i kufizuar i ekstrakteve bimore ka treguar efekte të rëndësishme në studime të rastësishme, dyfish të verbra dhe të kontrolluara me placebo te njeriu: ky është pikërisht rasti i Rhodiola rosea-s. Kjo e fundit, e quajtur gjithashtu "rrënja arktike" ose rrënja e artë, është një bimë me origjinë siberiane, por sot rritet në gjendje të egër edhe në Evropën Veriore, në Skandinavi e në Amerikën e Veriut dhe është gjithashtu e përhapur në Alpe. Karakteristikat adaptogjene u janë atribuar përbërjeve specifike (rosavine e salidroside) që ndikojnë në nivelet dhe veprimtarinë e monoaminave dhe peptideve opioide qendrore e periferike, përfshirë sistemet kardiovaskulare dhe respiratore. Në veçanti, Rhodiola rosea aktivizon sistemet e stresit, duke e përgatitur trupin për lëndime më të rënda. Në këtë kuptim, bima vepron si faktor i zbutur stresi (mimetizon stresin), duke nxitur efekte përshtatëse dhe mbrojtëse, të lidhura kryesisht me boshtin hipotalamus-hipofizë-gjëndra mbiveshkore.
Ndër adaptogjenët, Rhodiola rosea është një zgjedhje racionale terapeutike si përsa u përket rezultateve klinike, ashtu edhe për sigurinë terapeutike, siç dëshmohet nga literatura shkencore. Një studim i fundit klinik ka vlerësuar efikasitetin e një ekstrakti të standardizuar të rrënjëve të Rhodiola roseas në subjekte me lodhje të lidhur me stresin. Në këtë studim dyfish të verbër, të kontrolluar me placebo, 60 pjesëmarrës të grupmoshës 20-55 vjeç u ndanë në dy grupe dhe iu nënshtruan testeve të ndryshme të vlerësimit. Njëri nga grupet mori 4 tableta në ditë për një periudhë prej 28 ditësh, e barabartë me 576 mg ekstrakt Rhodiola rosea çdo ditë.
Rhodiola rosea përmirëson gjendjen e lodhjes
Rezultatet treguan se marrja e Rhodiola roseas përmirësoi gjendjen e lodhjes së subjekteve nën trajtim, me një perceptim më të madh subjektiv të shëndetit fizik. Përveç kësaj, një studim tjetër klinik vlerësoi efektet e trajtimit me 200 mg ekstrakt Rhodiola rosea dy herë në ditë për 4 javë në 101 pacientë të prekur nga stresi. Të gjitha ndryshoret e analizuara treguan përmirësim të vazhdueshëm të simptomave të lidhura me stresin, lodhjen, cilësinë e jetës, gjendjen shpirtërore, përqendrimin, paaftësinë, dëmtimin funksional dhe efektin e përgjithshëm terapeutik. Efektet e para pozitive u vunë re vetëm pas 3 ditëve të trajtimit, të ndjekura nga përmirësime të vazhdueshme pas 1 dhe 4 javësh, me efekte të gjetura si në ambientin familjar/social, ashtu edhe në vendin e punës. Ekstrakti i Rhodiola roseas ka rezultuar i sigurt dhe përgjithësisht është toleruar mirë, siç sugjerohet nga incidenca shumë e ulët e efekteve anësore në studimet klinike. Në përgjithësi, shumica e studimeve kanë theksuar sigurinë dhe efektet e dobishme të Rhodiola roseas në reduktimin e lodhjes mendore dhe përmirësimin e gjendjes fizike dhe mirëqenies së përgjithshme. I gjithë ky informacion mund t'iu jepet nga farmacisti edhe atyre që zakonisht nuk përdorin preparate fitoterapeutike dhe mund të verifikojnë vlefshmërinë e tyre.
Burimet:
1) Saratikov AS, Krasnov EA. Rhodiola rosea (Golden root): a valuable medicinal plant. Tomsk, Tomsk University Press. 2004; pp. 1-20.
2) Olsson EMG, von Schéele B, Panossian AG. A randomized double-blind placebo controlled parallel group study of SHR-5 extract of Rhodiola rosea roots as treatment for patients with stress related fatigue. Planta Med 2009; 75:105-12.
3) Edwards D, Heufelder A, Zimmermann A. Therapeutic Effects and Safety of Rhodiola rosea Extract WS® 1375 in Subjects with Life-stress Symptoms - Results of an Open-label Study. Phytotherapy Research 2012; 26 (8): 1220-1225.