Mirëqenie

jan82025

Riniti alergjik. Probiotikët përmirësojnë cilësinë e jetës. Ja si

Riniti alergjik është një gjendje atopike që përfshin rrugët e sipërme të frymëmarrjes e cila shfaqet më së shumti te subjektet e predispozuar pas ekspozimit ndaj aeroalergjenëve si poleni, marimangat e pluhurit dhe qimet e kafshëve. Tradicionalisht, trajtimi i rinitit alergjik ka pasur si baza kryesore shmangien e alergjenit, terapitë farmakologjike dhe imunoterapinë specifike. Megjithatë, interesi në rritje për ndërveprimin midis mikrobiotës intestinale dhe sistemit imunitar ka hapur perspektiva të reja terapeutike.

Një studim i ri klinik me përzgjedhje rastësore, dyfish i verbër, i kryer në Spitalin Universitar St. Anna në Ferrara, në periudhën mars-korrik 2022, ka vlerësuar përdorimin e probiotikëve te subjektet e moshës 18 deri në 60 vjeç, që vuajnë nga riniti alergjik sezonal ose i vazhdueshëm. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri grup u trajtua me placebo ndërsa tjetri me një kombinim të probiotikësh me përmbajtje Lactobacillus acidophilus, Lactobacillus rhamnosus, Bifidobacterium brevis dhe Bifidobacterium longum.

Rezultatet nxorën në pah përmirësime të rëndësishme në cilësinë e jetës së pacientëve të trajtuar me probiotikë, të vlerësuara përmes rezultatit MiniRQLQ, një pyetësor klinik i standardizuar që mat ndikimin e rinitit alergjik në jetën e përditshme. Në mënyrë të veçantë, në grupin që u trajtua me probiotikë, rezultati MiniRQLQ u ul me 1.2 pikë në katër javë në krahasim me vlerat fillestare (T0). Ky progres u intensifikua në tetë javë (T2), me një reduktim prej 1.5 pikësh dhe mbeti konstant në ndjekjen 12-javore (T3), me një ulje të përgjithshme prej 1.7 pikësh, duke nënvizuar një efekt pozitiv dhe afatgjatë të probiotikëve në përmirësimin e cilësisë së jetës së subjekteve dhe reduktimin e simptomave të rinitit alergjik.

Analiza e mikrobiotës intestinale zbuloi gjithashtu ndryshime relevante në bioshënjuesit bakterial. Në përfundim të trajtimit, në grupin e trajtuar me probiotikë u vu re një rritje e ndjeshme e specieve Dorea (+18%) dhe Fusicatenibacter (+12%), të njohura për vetitë e tyre antiinflamatore, ndërsa në grupin e trajtuar me placebo u vu re prania e Bacteroides (+ 15%) dhe Ruminococcaceae (+10%), nxitës të inflamacionit alergjik. Për më tepër, në grupin e probiotikëve, raporti Prevotella/Bacteroides u rrit ndjeshëm në fund të ndjekjes, duke treguar kështu një modulim të favorshëm të mikrobiotës.

Nga pikëpamja e shënjuesve inflamatorë, nuk u shfaqën dallime domethënëse në nivelet e eozinofileve dhe IgE totale midis dy grupeve. Këto të dhëna, në përputhje me metaanalizat e tjera, sugjerojnë se përmirësimet klinike të vërejtura te pacientët e trajtuar me probiotikë nuk varen drejtpërdrejt nga këto parametra, por nga mekanizmat më kompleksë imunologjikë, si ribalancimi i raportit Th1/Th2 dhe induksioni i IgG4 specifike për alergenet.

Kërkimet e zhvilluar deri më tani kanë treguar se përdorimi i probiotikëve mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve me rinitit alergjik, duke modifikuar pozitivisht mikrobiotën intestinale dhe duke favorizuar një përgjigje imune më pak pro-inflamatore. Megjithatë, rezultatet, edhe pse premtuese, kërkojnë studime të mëtejshme në mostra më të mëdha për të vërtetuar plotësisht efikasitetin dhe mekanizmin e veprimit të probiotikëve në këtë gjendje.


Burimi
https://www.frontiersin.org/journals/immunology/articles/10.3389/fimmu.2022.848279/full


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC