maj82015
Sot Dita Botërore e Talasemisë
Çdo 8 maj në të gjithë botën shënohet Dita Botërore e Talasemisë, sëmundje e trashëgueshme që në Shqipëri, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numëron rreth 8-9% të popullsisë bartëse. Ndërsa, sipas të dhënave të OBSH-së çdo vit në të gjithë botën lindin më tepër se 100.000 fëmijë të prekur nga kjo sëmundje. Pavarësisht progreseve të shumta në trajtim, shërimi përfundimtar nga kjo sëmundje mbetet ende një problem i pazgjidhur, nëse përjashtohet transplanti i palcës së kockave. Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF - e cila përbëhet nga 91 shtete anëtare) është vazhdimisht në kërkim të kurave të reja për trajtimin e talasemikëve, pjesa me e madhe e të cilëve janë fëmijë dhe adoleshentë.
Talasemitë janë anemi hemolitike kronike (të shkatërrimit të gjakut) që karakterizohen nga ulja apo mungesa e një ose më shumë zinxhiresh polipeptidike të hemoglobinës (α, β, γ, δ). Ato bëjnë pjesë në grupin e madh të defekteve të hemoglobinës, të cilat trashëgohen në mënyrë autozomale recesive. Vendet ku shfaqet më shpesh Talasemia janë ato të Mesdheut ku malaria ka qenë endemike, si Greqia, Italia, Qipro, Shqipëria etj., por edhe në Azi dhe një pjesë të Afrikës.
Ndërkaq Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor pohon se rimburson me 100% barnat për këtë kategori të sëmurësh dhe rimbursimi kap vlerën e 540 milionë lekëve të reja në vit. "Aktualisht FSDKSH rimburson disa barna për talasemikët, të cilat bëjnë të mundur mbajtjen nën kontroll të sasisë së akumulimit të hekurit në organizëm. Janë rreth 530 pacientë që përfitojnë pa pagesë mjekimin, pjesa më e madhe e te cilëve në rajonin e Lushnjës, Fierit dhe Elbasanit", shkruhet në një komunikatë të FSDKSH-së.