Ushqyerje

sht62022

Kanceri kolorektal. Konsumi i tepërt i ushqimeve shumë të përpunuara rrit rrezikun te burrat

Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, burrat që konsumojnë ushqime shumë  të përpunuara kanë një rrezik 29% më të lartë për të zhvilluar kancer kolorektal krahasuar me burrat që konsumojnë sasi shumë më të vogla të këtyre ushqimeve. Ndërkohë që asnjë lidhje e tillë nuk është gjetur te gratë. "Mishrat e përpunuar, shumica e të cilëve hyjnë në kategorinë e ushqimeve shumë të përpunuara, janë një faktor i fortë rreziku për kancerin kolorektal.

Ushqimet shumë të përpunuara janë gjithashtu të pasura me sheqer të shtuar dhe të ulëta në fibra, dhe kontribuojnë në shtimin e peshës dhe obezitetit, një faktor rreziku i vendosur për kancerin kolorektal", thotë autori kryesor i studimit Lu Wang nga Universiteti i Tuftsit në SHBA.

Studiuesit analizuan të dhënat nga më shumë se 200,000 pjesëmarrës, ndër të cilët 159,907 gra dhe 46,341 burra, të regjistruar në tre studime të mëdha prospektive. Secilit pjesëmarrës iu dha një pyetësor çdo katër vjet nëpërmjet të cilit u vlerësua shpeshtësia e konsumit të rreth 130 ushqimeve. Konsumi i ushqimeve shumë të përpunuara nga pjesëmarrësit u rendit në kuintile, duke filluar nga konsumi më i ulët tek ai më i lartë.

Ekspertët dokumentuan 1294 raste të kancerit kolorektal te meshkujt dhe 1922 raste te femrat për më shumë se 25 vjet ndjekje. Burrat në kuintilin e lartë u identifikuan se kishin rrezikun më të lartë të zhvillimit të kancerit kolorektal, ndërsa nuk kishte rrezik të përgjithshëm të rritur për gratë në atë kuintil.

Analizat zbuluan dallime në mënyrën se si burrat dhe gratë i konsumojnë këto ushqime shumë të përpunuara.

Lidhja më e fortë midis kancerit kolorektal dhe ushqimeve ultra të përpunuara te burrat vjen nga mishi, shpendët ose produktet e gatshme me bazë peshku, si dhe nga rritja e konsumit të pijeve me sheqer, të tilla si pijet e gazuara, pijet me bazë frutash dhe qumështi të ëmbël. Megjithatë, jo të gjitha ushqimet shumë të përpunuara ishin po aq të dëmshme për sa i përket rrezikut të kancerit kolorektal, siç janë produktet e qumështit ultra të përpunuara (kos).

Prandaj është e mundur që ndryshimi i rrezikut ndërmjet burrave dhe grave të jetë për shkak të llojit të ushqimeve shumë të përpunuara të cilat ata konsumojnë. "Kërkimet e mëtejshme do të duhet të përcaktojnë nëse ka një ndryshim të vërtetë gjinor në këtë lidhje, ose nëse rezultatet e marra te gratë në këtë studim ishin thjesht për shkak të rastësisë ose faktorëve të tjerë ngatërrues që zbutën lidhjen", përfundojnë autorët. 

 

BMJ 2022. Doi: 10.1136/bmj-2021-068921
http://doi.org/10.1136/bmj-2021-068921


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC