kor242024
Omega-3. Suplementi redukton dëmtimin oksidativ të muskujve gjatë rimëkëmbjes pas ushtrimeve
Acidet yndyrore omega-3, sidomos acidi eikosapentaenoik (EPA) dhe acidi dokosaesaenoik (DHA), janë thelbësore për trupin e njeriut dhe nivelet e tyre duhet të ruhen përmes dietës ushqimore dhe suplementeve. Këto acide yndyrore janë të njohura për efektet e tyre pozitive në shëndetin kardiovaskular dhe cerebral dhe janë kthyer edhe në objekt studimi për shkak të rolit të tyre të mundshëm në përmirësimin e rimëkëmbjes pas ushtrimeve dhe performancave sportive.
U krye një analizë sistematike e të gjitha studimeve të publikuara 10 vitet e fundit deri më 5 maj 2024, në formën e një studimi të kontrolluar, gjatë së cilit është krahasuar suplementimi i omega-3 me një grup kontrolli. Nga 14.971 të dhëna të identifikuara në analizë, vetëm 13 studime i përmbushnin kriteret e përzgjedhjes për gjithsej 420 individë.
Reduktimi i shënjuesve të dëmtimeve muskulore dhe ulja e inflamacionit
Rezultatet kryesore kanë treguar se integrimi i omega-3 ka reduktuar ndjeshëm nivelet e kreatinë-kinazës (CK) dhe laktat dehidrogjenazës (LDH), të dy shënjues të dëmtimit të muskujve. Efektet në inflamacion janë jashtëzakonisht premtuese. Në fakt, studimet kanë treguar një reduktim mesatar prej 25-50% të niveleve të proteinës C-reaktive (PCR) te individët që merrnin suplemente të omega-3, krahasuar me grupet e kontrollit. Gjithashtu, disa studime kanë evidentuar edhe një reduktim të dukshëm të niveleve të interleukinës-6 (IL-6) deri në 40%.
Reduktimi i dëmit oksidativ
Rezultat treguan se omega-3 luan edhe një rol thelbësor në reduktimin e dëmit oksidativ. Në veçanti, gjatë aktivitetit fizik intensiv, prodhimi i specieve reaktive të oksigjenit (ROS) mund ta tejkalojë kapacitetin antioksidues të muskujve, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime qelizore. Suplementimi i omega-3 ndihmon në balancimin e prodhimit të ROS, duke reduktuar dëmin oksidativ, duke përmirësuar raportin glutation i reduktuar/glutation i oksiduar (GSH/GSSG) e duke favorizuar kështu rimëkëmbjen muskulore.
Aleatë të diskutueshëm të performancës sportive
Pavarësisht përfitimeve të qarta për rimëkëmbjen muskulore, efektet e omega-3 në performanca sportive mbeten për t'u diskutuar. Disa studime evidentojnë përmirësime, përsa i përket forcës dhe masës muskulore, por nuk është vërtetuar fakti që suplementi i omega-3 i përmirëson ndjeshëm performancat atletike të përgjithshme.
Si përfundim, omega-3 ofron përfitime premtuese në reduktimin e inflamacionit të dëmtimit muskulor pas ushtrimeve, duke kontribuuar në përmirësimin e rimëkëmbjes së atletëve. Megjithatë, duhen marrë parasysh nevojat individuale dhe specifika e ushtrimeve, në momentin që përcaktohet doza dhe kohëzgjatja e suplementimit.