Ushqyerje

maj262022

Covid-19. Ja, si ndikon gjendja nutricionale në infeksionet e rënda

Sigurimi i një gjendjeje optimale të të ushqyerit mbetet një strategji e dobishme në mbështetjen dhe ruajtjen e një reagimi imunitar efektiv që e mbron trupin nga infeksionet. Këto janë përfundimet e një studimi të botuar në revistën Nutrients, që diskuton rolin e faktorëve dietikë në rastet e sindromës respiratore të rëndë akute nga SARS-CoV-2, një sëmundje që është përhapur në mbarë botën duke shkaktuar deri më tani më shumë se 512 milionë raste dhe mbi 6.2 milionë vdekje.

"Ashpërsia shpesh e paparashikueshme e infeksionit nga COVID-19 ka hapur rrugën për studime që synojnë parashikimin e rezultateve të COVID-19, duke nxitur shumë kërkime për të identifikuar faktorët që mund të zbusin manifestimet klinike të infeksionit", thotë autori kryesor i punimit, Bhavdeep Singh, Universiteti Perëndimor i Shkencave Shëndetësore në Pomona, Kaliforni, i cili kujton se ekuilibri Th1/Th2 është thelbësor për zgjidhjen klinike të sëmundjes SARS-CoV-2 dhe se çrregullimi i saj qëndron në bazë të stuhisë së citokinave, e cila nga ana e saj shkakton sindromën e distresit respirator akut, me një incidencë të lartë vdekjeje.

"Përveç masave të shëndetit publik, zhvillimit të vaksinave dhe terapive të reja, është shtuar vëmendja për rolet e mundshme që ka dieta në luftën kundër pandemisë", shkruajnë studiuesit, duke deklaruar se ndikimi i të ushqyerit në sëmundjet e tjera respiratore, përfshirë ftohjen e zakonshme, pneumoninë dhe gripin, janë demonstruar gjerësisht në modelet e kafshëve dhe njerëzve. Për këtë arsye është zhvilluar edhe studimi i sapobotuar, që diskuton përdorimet e mundshme të dietave, vitaminave dhe suplementeve - duke përfshirë glutationin, zinkun, dietën mesdhetare dhe mjekësinë tradicionale kineze - në parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve të rënda.

"Të dhënat e mbledhura deri më tani tregojnë se statusi ushqimor sigurisht që mund të luajë një rol të vlefshëm si në parandalimin, ashtu edhe në menaxhimin e infeksionit COVID-19. Sidoqoftë, nevojiten studime të mëtejshme klinike për të demonstruar qartë kontributin e të ushqyerit në zbatimin e protokolleve të mundshme terapeutike", përfundon Singh-u.

 

Nutrients 2022. Doi: 10.3390/nu14091909
https://doi.org/10.3390/nu14091909


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC