kor182022
Dieta tradicionale kineze e modifikuar me pak kripë mund të reduktojë sëmundjet kardiovaskulare
Sipas një studimi të ri të botuar në Circulation, te të rriturit kinezë me presion të lartë gjaku që konsumuan ushqim tradicional kinez të modifikuar me pak kripë për katër javë, u vu re një rënie e ndjeshme e vlerave të presionit të gjakut. "Krahasuar me përbërjen e një diete normale kineze, dieta jonë e shëndetshme për zemrën e përgjysmon kripën, nga 6,000 mg në ditë në 3,000 mg në ditë, redukton marrjen e yndyrës dhe dyfishon fibrat dietike. Gjithashtu, rrit proteinat, karbohidratet dhe kaliumin", thotë autorja kryesore e studimit Yanfang Ëang (Universiteti i Pekinit, Kinë).
Studimi përfshiu 265 të rritur kinezë, me presion sistolik të gjakut të barabartë ose më të madh se 130 mm Hg. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore nga Pekini, Shangai, Guangzhou dhe Chengdu, qytete të cilat përmbajnë kuzhinën përkatëse rajonale, përkatësisht Shangdong, Huaiyang, Kantonez dhe Szechuan. Në fillim të studimit, të gjithë pjesëmarrësit konsumuan dietat e tyre të zakonshme lokale për shtatë ditë dhe më pas, 135 të rritur u përzgjodhën në mënyrë rastësore në dy grupe. Në grupin e parë pjesëmarrësit konsumuan dietën e re kineze të shëndetshme për zemrën bazuar në rajonin e origjinës për 28 ditë dhe 130 të tjerët konsumuan vaktet e tyre të zakonshme. Studiuesit matën presionin e gjakut të pjesëmarrësve para dhe pas studimit çdo javë, si dhe grumbulluan mostra të urinës në fillim dhe në fund të studimit për të matur marrjen e natriumit dhe kaliumit.
Analiza e të dhënave tregoi se pjesëmarrësit që ndoqën dietën e shëndetshme kishin presion më të ulët të gjakut krahasuar me grupin që ndoqi dietën normale, marrja e kalorive nga karbohidratet dhe proteinat ishte rritur dhe marrja e kalorive nga yndyrat ishte ulur. Përveç kësaj, konsumi i fibrave, kaliumit, magnezit dhe kalciumit ishte rritur, ndërsa ai i natriumit ishte ulur. Marrja e lëndëve ushqyese në grupin që konsumoi dietë të rregullt, nga ana tjetër, mbeti praktikisht e pandryshuar. Kostoja shtesë e dietës kineze të shëndetshme për zemrën ishte mesatarisht rreth 0,60 dollarë në ditë për person dhe efekti i uljes së presionit të gjakut ishte i qëndrueshëm ndërmjet pjesëmarrësve në katër grupet e kuzhinës rajonale të shëndetshme. Studiuesit theksojnë se efektet e një diete të shëndetshme për zemrën mund të zvogëlojnë incidencën e sëmundjeve kryesore kardiovaskulare me 20%, insuficiencën kardiake me 28% dhe vdekjen nga të gjitha shkaqet me 13%.
Circulation 2022. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.122.059045
http://dx.doi.org/10.1161/CIRCULATIONAHA.122.059045