Ushqyerje

sht272022

Vitamina D dhe acidet yndyrore omega 3 nuk janë të dobishme për parandalimin e dobësisë te të moshuarit

Sipas rezultateve të një studimi të botuar në JAMA Network Open, as vitamina D3 dhe as plotësimi me acide yndyrore omega-3 nuk ndikuan, krahasuar me placebon, në ndryshimin e nivelit të dobësisë me kalimin e kohës te një grup të moshuarish të shëndetshëm amerikanë.

Sipas autores kryesore të studimit Ariela R. Orkaby nga Sistemi i Kujdesit Shëndetësor të Bostonit, në vend që të rekomandohen "pilula të panevojshme", duhet të promovohet mënyra e shëndetshme e jetesës. Të gjithë të moshuarit duhet të inkurajohen të ushtrojnë aktivitet të rregullt fizik dhe të ndjekin dietën mesdhetare, të dyja strategji të provuara për parandalimin e gjendjes së dobësisë fizike.

U krye një analizë e të dhënave të VITAL, një studim klinik i kontrolluar me placebo që përfshiu mbi 25,000 të rritur me një moshë mesatare rreth 67 vjeç nga 50 shtetet e SHBA-së, të cilët u randomizuan për plotësimin ditor të vitaminës D3 (2,000 IU) dhe/ose acideve yndyrore omega 3 (840 mg). Pjesëmarrësit plotësuan disa herë gjatë studimit (në fillim, pas 6 muajsh nga fillimi dhe më pas një herë në vit) pyetësorë që synonin marrjen e informacionit mbi gjendjen shëndetësore, mënyrën e jetesës dhe të tjera.

Matjet u bënë duke përdorur një indeks të vërtetuar i cili përfshinte nivelin funksional, konjitiv, humorin dhe sëmundshmërinë. Në matjet bazë, rezultati mesatar i dobësisë fizike dhe mendore ishte 0,109 dhe, gjithsej, 12,7% (3,174) e njerëzve ndienin dobësi. Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 5 vitesh, rezultatet që lidheshin me dobësinë u rritën në 0.121. Plotësimi me vitaminë D3 dhe acide yndyrore omega 3 nuk ndikoi në rezultatet ose shkallën e ndryshimit të rezultatit.

Siç specifikohet nga Orkaby, rezultatet që dolën janë në përputhje me ato të marra më parë nga studimi VITAL. "Kërkimet aktuale nuk mbështesin plotësimin me vitaminë D3 dhe acide yndyrore omega 3 për të moshuarit, por zhvendosja e fokusit tonë në një mënyrë jetese aktive, impenjuese dhe ndjekja e dietës mesdhetare mund të përmirësojë jetëgjatësinë, të reduktojë sëmundjet e zemrës, demencën dhe diabetin dhe, ndoshta ç'është më e rëndësishmja për të moshuarit, mund të reduktojë dobësinë dhe humbjen e pavarësisë", shkruajnë në një editorial Elizabeth Eckstrom dhe Bryanna De Lima nga Universiteti i Shkencave në Oregon, Portland.

 

JAMA Netw Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.31206.
https://www.doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.31206

JAMA Netw Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.31147.
https://www.doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.31147


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC