tet102022
Konsumimi i ushqimeve me omega-3 në moshë të mesme përmirëson aftësinë konjtive
Sipas një studimi të botuar në Neurology, njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime me acide yndyrore omega-3 në moshë të mesme mund të kenë aftësi më të mira të të menduarit dhe një strukturë më funksionale të trurit krahasuar me ata që konsumojnë më pak nga këto ushqime.
"Përmirësimi i dietës është një mënyrë për të promovuar shëndetin e trurit dhe studimi ynë sugjeron se edhe një konsum modest i omega-3 mund të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur funksionin e trurit. Ky fakt mbështet udhëzimet aktuale dietike të Shoqatës Amerikane të Zemrës, të cilat thonë se duhet të konsumohen të paktën dy porcione peshk në javë për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular", thotë autorja kryesore e studimit Claudia Satizabal nga Universiteti i Teksasit në San Antonio, SHBA.
Studiuesit studiuan 2,183 njerëz me moshë mesatare 46 vjeç, të cilët nuk kishin demencë ose iktus, duke vlerësuar nivelet e tyre të acideve yndyrore omega-3 dhe duke testuar aftësitë e tyre të të menduarit, si dhe duke matur vëllimet e trurit nëpërmjet MRI-së. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe në bazë të përqindjes së acideve omega-3, ata në grupin me vlerë më të ulët kishin mesatarisht 3.4% të totalit të acideve yndyrore si acide yndyrore omega-3 krahasuar me një mesatare prej 5.2% për njerëzit në grupin me vlerë më të lartë.
Normalisht, një nivel optimal është 8% ose më i lartë, ndërsa nivelet midis 4% dhe 8% konsiderohen të ndërmjetme dhe ato nën 4% të ulëta. Ekspertët vunë në dukje se njerëzit që kishin nivele më të larta të acideve yndyrore omega-3 jo vetëm që kishin rezultate mesatare më të larta në testet e arsyetimit abstrakt, por gjithashtu kishin vëllime mesatare më të larta të zonës hipokampale të trurit, e cila luan një rol të rëndësishëm për kujtesën.
Studimi vlerësoi vetëm një moment në kohë dhe pjesëmarrësit nuk u ndoqën për një kohë të gjatë, kështu që rezultatet nuk tregojnë se konsumimi i acideve yndyrore omega-3 ruan funksionin e trurit, por vetëm fotografon një lidhje. Përveç kësaj, shumica e kampionit përbëhej nga të rritur të bardhë johispanikë, të cilët mund të kufizojnë aftësinë për të aplikuar rezultatet në grupe të tjera. "Këto gjetje duhet të konfirmohen me kërkime të mëtejshme, por fakti që nivelet e omega-3 mund të luajnë një rol në përmirësimin e qëndrueshmërisë konjitive edhe te njerëzit në moshë të mesme është premtuese", përfundojnë autorët.
Neurology 2022. Doi: 10.1212/WNL.0000000000201296
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000201296